Qeveria miraton vendimin për reciprocitet në tabela, me KS edhe pesë vjet

16 Shkurt 2017 - 18:17      

Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të 132-ën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësisë së saj kushtetuese dhe ligjore.

Në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë, thuhet se Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për miratimin e “Aranzhimeve lidhur me finalizimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të vitit 2011”, të arritur më 14 shtator 2016, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Përmes kësaj marrëveshje vendoset reciprociteti në tabelat e automjeteve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe njëherësh largohen nga përdorimi tabelat ‘Prova’ që pala serbe njëanshëm i kishte aplikuar ndaj tabelave ‘RKS’ të Kosovës. Kjo marrëveshje largon tabelat ilegale që ende në disa vende gjenden në Kosovë, duke zbatuar masa stimuluese të kohëzgjatjes së validitetit të tabelave ‘KS’ edhe për pesë vjet”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas këtij njoftimi, largimi i tabelave ilegale do të zgjasë 12 muaj prej fillimit të zbatimit të vendimit, ndërsa në fund të kësaj periudhe nuk do të lejohen më në qarkullim tabelat e tilla ilegale.

“Kjo marrëveshje mbështet pajisjen me dokumente të shtetësisë dhe të gjendjes civile për qytetarët që janë në Regjistrin Civil të Republikës së Kosovës, për çfarë arsye edhe Qeveria ka hapur zyrat e Agjencisë së Regjistrimit Civil në katër komunat veriore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa njoftoi kabinetin se vendimi për dokumentet që duhet për marrjen e shtetësisë së Kosovës nuk është sjell sot në Qeveri, meqenëse duhet të sqarohet dhe harmonizohet nga zyrat ligjore, por ky vendim do të vije në Qeveri si pikë e veçantë e diskutimit.
“Një vendim i cili është dashur të vije sa i përket dokumenteve të marrjes së shtetësisë, sot nuk e kemi sjell në Qeveri sepse ka mbetur që zyra ligjore ta sqarojë dhe ta harmonizojë tërësisht në suazat ligjore. Çështjet tjera të Marrëveshjes janë çështje për të cilat konsideroj se Qeveria mund të marrë vendim sot, sepse nuk ka vërejtje sa i përket çështjeve tjera, por vetëm sa i përket shtetësisë mbetet që ne ta sjellim si pikë të veçantë në Qeveri, sa të kemi sqarime në mes të zyrave ligjore, në mënyrë që të jetë krejtësisht në harmoni me ligjet, me Kushtetutën dhe të jetë e zbatueshme për ne”, citohet të ketë thënë Mustafa.

“Vendimi është miratuar në Aranzhimet lidhur me finalizimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të vitit 2011, të arritur më 14 shtator 2016 me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet të gjitha zotimet e përcaktuara me këto aranzhime. Obligohet Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Regjistrimin Civil, në bashkëpunim me kabinetin e ministres pa portofol që të bëjnë zbatimin e këtij vendimi, sipas përgjegjësive të tyre. Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”, tha më tej Mustafa.

Kabineti qeveritar ka miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes dypalëshe në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Tajlandës lidhur me "heqjen reciproke të vizave për bartësit e pasaportave diplomatike dhe Zyrtare" , si dhe Marrëveshjes dypalëshe në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Hondurasit lidhur me "heqjen reciproke të vizave për bartësit e pasaportave diplomatike, Zyrtare, të Shërbimit dhe të Zakonshme ose të atyre aktuale" . Qëllimi i këtyre dy marrëveshjeve është që të forcohen marrëdhëniet bilaterale me këto dy vende, ndërsa si nisma, ato bien në kompetencat të ratifikimit nga ana e Presidentit të Republikës.

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe shqyrtimi i Nismës për lidhjen e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Organizatës "SPARK" të Holandës për mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit "IBCM" në Mitrovicë, duke obliguar njëkohësisht MASHT-in që të zhvilloj procedurat edhe të opinionit ligjor lidhur me veprimet e mëtutjeshme dhe që pas konsultave juridike të gjendet baza e qëndrueshme ligjore.
Në këtë mënyrë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të vazhdojë kontaktet me këtë institucion holandez, në mënyrë që në fazat e mëtejme të ketë një përafrim sa i përket statusit ligjor të Kolegjit në Mitrovicë, dhe që ky institucion të mos pushojë dhe të vazhdojë punën edhe më tutje.

Në të ndryshme, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar ka informuar kabinetin qeveritar me kontratën për mbështetje të buxhetit të sektorit nga Komisioni Evropian, që ndërlidhet me Reformën e Administratës Publike. Asistenca buxhetore pritet të jetë në nivelin deri në 22 milionë euro. Pas negocimit, do të bëhet një plan veprimi ose dinamika e zbatimit, duke detajuar edhe obligimet që do të dalin për raportimet e rregullta nga institucionet përgjegjëse.

Kryeministri Mustafa ka potencuar nevojën që ekziston në adresimin e drejtë të Reformës në Administratë Publike.
“Duhet të dinamizojmë pak përcaktimin tonë që e kemi bërë edhe sa i përket thjeshtëzimit të agjencive për të cilat kemi biseduar dhe unifikimit të organizimit. Plotësisht jam i bindur që kjo administratë që është e re tek ne, është e gatshme të punojë në bazë të kritereve të vendeve të Bashkimi Evropian”, tha kryeministri.

Në fund të mbledhjes, kryeministri Mustafa ka uruar kabinetin qeveritar dhe të gjithë qytetarët e Republikës, në 9 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
“Ju uroj 9-vjetorin e pavarësisë të gjithë juve, ju falënderoj për punën e madhe që e kemi bërë gjatë vitit të kaluar dhe po ashtu uroj që të punojmë edhe më shumë, në mënyrë që jubileun e dhjetëvjetorit ta presim me rezultate sa më të mëdha”, theksoi kryeministri Mustafa.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...