#MerrFryme shpërndan maska dhe pamflete kundër ndotjes së ajrit

11 Janar 2017 - 22:11      

Duke shpërndarë maska dhe pamflete informuese para Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës, vullnetarë të Iniciativës #MerrFrymë janë munduar që të tërheqin vëmendjen e qytetarëve dhe institucioneve për ndotjen e ajrit në kryeqytet dhe rrethinë.

“Ndotja e ajrit është duke vazhduar të na ngufasë dhe të na rrezikojë shëndetin çdo ditë. Institucionet përkatëse nuk janë duke e bërë punën e vet në ndërmarrjen e hapave emergjent, ndërsa të sëmurit me probleme në zemër e frymëmarrje po shtohen çdo ditë”, thuhet në njoftimin për media të kësaj iniciative.

Arsyeja pse sot kanë shpërndarë maska dhe pamflete pikërisht para institucioneve të lartpërmendura, sipas #MerrFryme, është fakti se Ministria e Ambientit është organ ombrellë që duhet të iniciojë dhe mbikëqyrë punën e organeve tjera në drejtim të përmirësimit të ambientit, ndërsa me paraqitjen e gjendjes së rëndë të ajrit është munduar që ta quajë atë jo aq të rëndë.

“Ministria e Infrastrukturës mban përgjegjësinë e kontrolleve teknike, të cilat ende nuk i kontrollojnë veturat për nivelin e emetimit të gazrave”, thotë më tej kjo Iniciativë.

Ndërsa, sipas kësaj Iniciative, Komuna e Prishtinës mban përgjegjësi për mosveprim në një situatë e cila pati tejkaluar çdo normë dhe pasi që kishte bërë premtim për masa emergjente doli me një listë masash kryesisht inspektive për të cilat ende nuk ka bërë ndonjë raportim.

“Deri në një masë, moti ka qenë i mirë me neve, pasi ka shpërndarë smogun deri diku, por megjithatë niveli gati gjithmonë ka qenë në zonën “Unhealthy” që në shqip do të thotë “i pashëndetshëm”, ndërsa në momentet kur nuk ka pasur reshje dhe erëra gjithmonë ka qenë në “Hazardous” – “i rrezikshëm””, thuhet në këtë njoftim të #MerrFrymë.

“Dy Ministritë dhe Komuna e Prishtinës ndoshta shpresojnë që me kalimin e dimrit do të kalojë edhe brenga e ajrit të ndotur, por brenga e smogut do të jetë përherë këtu nëse nuk ndërmerren veprime”, përfundon komunikata e #MerrFrymë. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...