KEK: Edhe përkundër ngricave jemi duke e realizuar planin e prodhimit me 98.9%

11 Janar 2017 - 16:20      

Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se edhe përkundër motit ekstrem të ditëve të fundit, është duke realizuar planin e parashikuar me përpikëri.

KEK-u, në njoftimin për media ka bashkëngjitur edhe disa fotografi përmes së cilave dëshmon gjendjen e ftohësve të termocentraleve, e që shihet se janë tërësisht të ngrirë, dhe thotë se “fotot nuk janë në Siberi”.

“Për vëmendjen tuaj, fotot që mundë ti shihni nuk janë në Siberi por tek ftohësit e termocentraleve të KEK-ut. Përkundër kësaj gjendje të jashtëzakonshme të krijuar ditët e fundit nga kushtet ekstreme atmosferike edhe përkundër vështirësive për shkak të pajisjeve të stërvjetruara, KEK-u, ditëve të fundit është duke realizuar planin e parashikuar me përpikëri. Si ilustrim, dje me dt; 10.01.2017 plani i prodhimit është realizuar 98.9%, më saktë, nga 15360 MWh të planifikuara ka arrit të realizojë prodhimin 15190 MWh, një gjendje e ngjashme është edhe ditën e sotme”, thuhet në këtë njoftim, raporton Koha.net.

Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar për sa i përket sigurisë energjetike kombëtare dhe nevojën e shtuar për energji elektrike, KEK-u, përveç grupeve të operimit që punojnë në tri ndërrime, për të tejkaluar situatën aktuale të acarit, thotë se është përforcuar edhe me ekipet e mirëmbajtjes në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, Termocentralin Kosova A dhe Termocentralin Kosova B.

Për më tepër, sipas KEK-ut, operimi në termocentrale gjatë këtij moti të ligë dhe temperaturave jashtëzakonisht të ulëta është tepër i vështir. Mirëpo, siç theksohet në komunikatë, “falë angazhimit maksimal të punëtorëve të KEK-ut, kemi arritur, jo vetëm t’i mbajmë në operim por edhe ta realizojmë prodhimin e planifikuar me përpikëri”.

“Me këtë dëshmohet edhe njëherë se KEK-u si bartës i stabilitetit të sektorit të energjisë është duke treguar përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve të vendit. Sido që të jetë, përveç KEK-ut, një angazhim i tillë është i nevojshëm edhe nga të gjitha subjektet e ndërlidhura me sektorin e energjisë”, potencohet në komunikatë.

KEK-u, duke dashur të jetë transparent ndaj të gjitha palëve, “vlen të theksohet se furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike në bazë të licencave të lëshuara nga ZRRE-ja, është përgjegjësi ekskluzive e Furnizuesit Publik përkatësisht KESCO-së, përgjegjësi kjo e ngarkuar edhe me ligjin për energji elektrike”.

“Prandaj, për informimin e juaj KEK është përgjegjës vetëm për prodhim të energjisë elektrike dhe jo për reduktime apo furnizim të konsumatorëve”, ka përfunduar KEK-u. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...