Foto: Koha

Komandant Lata: Jam i shqetësuar – nuk e di nëse dikush ka kërkuar haraç në emrin tim [video]

6 Prill 2015 - 23:09      

Latif Gashi, i njohur si komandant Lata, u përmend në emisionin “Puls” të KTV-së nga afaristi Eroll Vitaku si emri të cilin haraçegjinjtë e përmendnin kur i kërkonin atij haraç për të vazhduar biznesin e tij.

Vitaku ka thënë se personat janë thirrur në emrin e komandant Remit dhe Latës, të dy këta deputetë të PDK-së, ndërsa ka treguar se dëshmuar se ata edhe e kanë sulmuar fizikisht.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar komandant Lata, i cili, në një prononcim telefonik në emisionin Interkativ të KTV-së, ka thënë se është ndjerë tejet keq nga këto deklarata.

Ai ka thënë se me afaristin Vitaku njihet tash e disa vite dhe ka theksuar se Vitaku ka bërë keq që nuk i ka treguar atij direkt për këto ngjarje.

“Unë dhe familja ime u ndjemë shumë keq të ofenduar kur në debatin televiziv në emisionin “Puls” u përmend edhe emri im nga një qytetar i Republikës, nga një afarist i nderuar siç është Eroll Vitaku të cilin personalisht e njoh dhe kam, besoj, raporte të mira me të. U shqetësova më së shumti duke qenë se tani e shtatë vite ka pasur mundësi të më kontaktojë me miliona herë dhe të më thotë, ‘Latë, dikush po thirret në emrin tënd’. Më erdhi shumë keq nga ai që qe 7 vjet u paguan personave të pandërgjegjshëm dhe pas shtatë viteve tregon se janë thirrur në emër të ‘filanit’ apo ‘filanit’. Ky ishte shqetësimi më i madh i imi, përndryshe, juve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës ju garantoj se kurrë në jetën time, as me këta e as me asnjë qytetar nuk kam biseduar dhe nuk qëndro emri im apo personaliteti im prapa njerëzve të pandërgjegjshëm, njerëzve që shkelin ligjin dhe i shkelin të drejtat e qytetarëve. Tërë jetën time jam munduar të jem në dispozicion të të drejtave të tyre dhe lirinë fizike time dhe familjes time e kam sakrifikuar gjithherë për me qenë të lirë qytetarët. U ndjeva shumë keq që ai ka pësuar lëndime fizike nga njerëz të pandërgjegjshëm të cilët aq më keq janë thirrur në emra, nëse janë thirrur, gjithherë po flas duke i besuar Erollit, edhe pse e shoh veprim jo-burrëror dhe jo-qytetar i cili për shtatë vjet u ka dhënë reket njerëzve duke njollosur emra e duke mos e denoncuar rastin në polici. Ky besoj se i ka bërë një shërbim shumë të keq vendit, duke i dhënë mundësi disa njerëzve të papërgjegjshëm që në njëfarë mënyre të bëhen të fuqishëm të cilët, pse jo nesër, të vinin e të më qitnin reket edhe në shtëpinë time”, ka thënë ndër të tjera komandant Lata, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se është hera e parë që dëgjon se dikush ka kërkuar haraç në emrin e tij.

“Ky është rasti i parë që u përmend emri im diku. Kurrë në jetën time nuk kam dëgjuar asnjë ankesë të asnjë qytetari, prandaj u ndjeva shumë i shqetësuar”, ka thënë më tej Gashi.

I pyetur nëse ka mundësi që dikush të kërkojë haraç në emrin e tij pasi që dihet se e kaluara e tij është e ndërlidhur me UÇK-në dhe SHIK-un dhe se vet Vitaku ka thënë se personat që i kërkonin haraç e kanë përmendur në disa raste UÇK-në, Gashi ka thënë se ai ndjehet si njeriu më i dobët para ligjit.

“Unë jam shumë krenar që kam qenë së pari ushtar në luftën e UÇK-së dhe shumë i nderuar e krenar që kam qenë ish-Drejtor i Përgjithshëm në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) dhe të gjithë autoritetin dhe shërbimin tim në këto institucione e kemi bërë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Andaj, askush nuk mund të thotë se zoti Gashi është i fuqishëm para ligjit, ngase para ligjit, njeriu më i ligë jam unë, njeriu i cili për 14 vjet jam në shërbim të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, por është paragjykim i gjithë atyre që mendojnë se ne jemi të fuqishëm edhe para ligjit. Ky paragjykim vjen nga njerëzit që janë në kundërshtim me ligjin”, ka theksuar Gashi.  

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...