Maja më e lartë në Kosovë është 2 metra mbi Gjeravicën

10 Gusht 2015 - 23:39      

Prej katër vitesh qarkullon lajmi që maja më e lartë e Kosovës është ajo e Rudokës, e njohur ndryshe si Maja e Njerit (2.658 m) lartësi mbidetare, duke e tejkaluar majën e Gjeravicës (2.656 m).

Kryetari i shoqatës së bjeshkatarëve “Hiking Njeri” Arben Islami, i cili ka bërë personalisht matjet, siç transmeton KosovaLive, kërkon që të krijohet një komision shtetëror për të konstatuar se cila është maja më e lartë në Kosovë.

“Unë kisha dashur që të formohet një komision shtetëror që do t’i bëjë këto matje. Nëse bëhen këto matje zyrtare, ani pse të dhënat gjenden edhe në harta të mëhershme zyrtare, do të hiqen përgjithmonë dyshimet se cila majë është më e lartë. Pas kësaj do të jetë shumë e lehtë që këto informata të futen në libra shkollorë”, shpjegon Arbeni.

Në këtë përfundim Arbeni erdhi në korrik të 2011-ës, kur bëri matjet me GPS, por edhe duke pasur parasysh hartat ekzistuese jugosllave dhe të NATO-s.

“Gjithçka filloi kur përfundoi vija e demarkacionit me Maqedoninë. Pasi sigurova informata të bollshme dhe pata akses në disa të dhëna, vendosa të shkoj në majë për t’i bërë matjet me disa GPS-a. GPS-ve nuk iu besoj shumë, por desha që të shkoj te kjo majë me disa miq dhe ta zyrtarizojmë këtë ngjarje. Pas matjeve doli të ishte shumë metra më e lartë se në harta. Edhe pas dhjetë pushtimeve të kësaj maje, por edhe të Gjeravicës, gjithmonë GPS-at kanë dalë në favor të Majës së Njeriut, duke mos përmendur vlerat në harta, të cilat tregojnë se Maja e Njeriut është dy metra më e lartë”, tregon Arbeni.

Vargmali i Rudokës ku gjendet kjo majë shtrihet në Sharrin më Jugor të Kosovës, në cepin më të largët të vargmaleve. Është një rrip i ngushtë malor që hyn thellë në Maqedoni, por që maja e saj është edhe në Kosovë. Është një vargmal i pasur me burime të ujit, këneta dhe liqene të ndryshme, ndërsa nga maja e saj mund të shihet Gostivari dhe fshatrat përreth tij. Këto bjeshkë kanë me bollëk dhi të egra, qen të Sharrit dhe gjarpërinj të larmë. Kjo zonë e Sharrit njihet për lloje të ndryshme të luleve.

Rexhep Kastrati, udhëheqës i divizionit për planprograme dhe tekste shkollore në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tregon për KosovaLive, se deri më tani, nuk është bërë asnjë kërkesë në ndryshimin e teksteve shkollore sa i përket majës më të lartë të Kosovës.

“Tekstet bazohen në të dhëna që i japin gjeografët. Vërejtjet parashtrohen në këtë divizion, pastaj stafi ynë i përcjell ato vërejtje tek autori dhe shtëpia botuese. Vërejtjet dhe pasaktësitë përmisohen në ribotime. Sa i përket majës së Rudokës, kjo çështje nuk është shtruar asnjëherë në shqyrtim,” shprehet Rexhepi.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...