Nga helmimet e 90-ës, shumë nxënës shqiptarë mbetën me pasoja [video]

5 Maj 2015 - 16:07      

Në rubrikën “Nëpër Kohë” të emisionit SOT në KTV ju kthejmë te një situatë tragjike që pati ndodhur 25 vjet më parë. Bëhet fjalë për helmimin e nxënësve kosovarë, në pranverën e vitit 1990. Në materialin në vazhdim do të mund të ndiqni, disa intervista me doktorët të cilët kanë hulumtuar e kanë qenë pjesë e kësaj ngjarjeje. Të prekurit nga ky helmim nuk pranojnë të flasin para kamerave. Në material do të shohim se si ka qenë e gjithë ajo kohë dhe çfarë kanë bërë ekspertët tanë që të sigurojnë faktet të cilat sot janë harruar.

Vitet e 90 – ta, ishin kohë kur serbët filluan të shfaqin në mënyrën më barbare politikat dhe trysninë anti – shqiptare.

Përveç shumë të këqijave si përjashtimi masiv nga puna, mbyllja e shkollave, përndjekja politike, vrasja e djemve të rinj që i shërbenin ushtrisë jugosllave, e shumë krime të tjera, ndodhi edhe ajo që ende ngre dilema se çfarë ishte?

Një helmim masiv i nxënësve nëpër shkolla ku kryesisht mësonin shqiptarët, preku mijëra nxënës shqiptarë të cilët i vuajtën pasojat shumë, raporton emisioni SOT në KTV.

Nga incizimet e bëra simptomat tregojnë se nxënësit u helmuan me një lloj helmi toksik, i cili kishte ndikim të fortë në organizëm duke u shkaktuar shtangim muskujsh, vjellje, alivanosje, ç’rregullim ndjenjash e shumë pasoja të tjera.

Helmimet e nxënësve shqiptarë filluan në mars dhe vazhduan gjatë gjithë muajve të pranverës së 90-ës. Numri i të prekurve nga helmimi toksik arriti deri në 8000.

Ata të cilët me gjithë fuqinë e tyre, u munduan që fëmijëve t’u japin ndihmë mjekësore dhe në çdo mënyrë të gjejnë argumente për të dëshmuar se bëhej fjalë për helmim, e kujtojnë këtë ngjarje 25 vjet pas.

Se ka qenë terreni i përgatitur nga forcat ushtarake serbe, këtë e dëshmojnë edhe shënimet e epidemiologut, Sinan Rizvanolli. Ai këtë histori e ka të dokumentuar në një fletore, në të cilën është munduar të nxjerrë detaje të gjithë asaj që kishte ndodhur.
Helmimin, serbët e kishin bërë nëpër shumë komuna të Kosovës. Nga numri i madh i të prekurve, mjekët kishin filluar që edhe shtëpitë t’i shndërronin në ambulanca.

Epidemiologu nga Ferizaji, Sylejman Topalli, kujton se si fëmijëve me gjendje shumë të rëndë, nuk kishin se si t’ju ndihmonin dhe për këtë arsye i kishin dërguar në Qendrën Spitalore në Prishtinë.

“Betimin e Hipokratit” mjekët serbë e thyen, nuk iu ndihmuan fëmijëve të helmuar, madje edhe mjekëve shqiptarë iu ndalua që t’u ndihmonin atyre.

Ndonëse, gjithë bota shihte pamjet e filmuara të fëmijëve me gjendje shumë të rëndë, mediet shkruanin atë se çfarë serbët thoshin. “Histeri masive” e kishin quajtur serbët gjithë këtë zhvillim. E të kundërtën nuk arritën ta dëshmojnë para botës mjekët shqiptarë.

Mostrat e urinës dhe gjakut, i kishin dërguar në disa vende që të merrnin një përgjigje se me çfarë gazi kishin helmua rininë tonë.

Por, për këtë helmim të të rinjve shqiptarë kanë heshtur edhe shumë vende ku ishin dërguar mostra për analiza.

“Kosova, sprovë e ndërgjegjes mjekësore”, ishte simpoziumi që u mbajt në Zagreb, më 9 qershor të vitit 1990. Në këtë simpozium morën pjesë shumë ekspertë të mjekësisë nga mbarë Jugosllavia. Nuk munguan as mjekët nga Kosova të cilët i kishte mbledhur doktor Besnik Bardhi ngase atë kohë ishte në specializim në Kroaci.

Argumenti më bindës në këtë simpozium, padyshim ishte publikimi i substancës kimike, Dimetil phosphoditionat.

Ky akt i turpshëm i sigurimit sekret serb nuk u ndëshkua kurrë.

Të rinjtë të cilët janë prekur nga ky gaz toksik, tani 25 vjet pas ende i vuajnë pasojat e këtij helmimi. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...